Çka paraqet qasja e hapur?
Qasja e hapur paraqet vënia në dispozicion pa pages e përmbajtjeve nëpërmjet internetit. Forma më e njohur e qasjes së hapur dhe që realizohet më lehtë është publikimi i punimeve të recenzuara shkencore nga revistat akademike pa pritur që autorët të paguhen për këtë.
Çka nuk është qasja e hapur?
Qasja e hapur nuk është botim i pavarur, e as mënyrë për t’i anashkaluar recenzimet dhe publikimet, e as botim i pavlefshëm i klasit të dytë. Qasja e hapur është mjet me të cilin rezultatet e hulumtimeve vihen në dispozicion të lirë onlajn për tërë komunitetin hulumtues.
Cilat janë përfitimet nga qasja e hapur për hulumtuesit dhe institucionet?
Përfitimet nga përdorimi dhe plotësimi i arkivave me material të hapur, pa pagesë që është në dispozicion, janë të mëdha, para së gjithash në aspekt të shkëmbimit të lirë të informatave, rezultateve dhe hulumtimeve të dobishme dhe plotësimit të tyre. Ndërsa institucioneve u mundësohet prani e shtuar onlajn dhe mundësi e shtuar për të marrë pjesë në hulumtimet botërore.
Depoja digjitale ku e vendos punimin tim a i fiton të drejtat autoriale mbi të?
Jo. Ju jeni autori i artikullit, kështu që ju jeni edhe bartësi i të drejtave autoriale, derisa nuk ia jepni ato dikujt tjetër.
Me atë që lejoni qasje të hapur deri te veprat tuaja, a rrezikoni që të bëhet plagjiaturë?
Ju akoma jeni pronari i veprës së publikuar shkencore, prandaj, rregullat për shfrytëzim, përpunim dhe adaptim që i keni shënuar vlejnë njëlloj si në letër ashtu edhe në botën digjitale, gjegjësisht vlejnë edhe gjatë mundësimit të qasjes së hapur. Njëkohësisht, plagjiatura në këtë rast mund të zbulohet shumë më lehtë.
A duhet shfrytëzuesit të kërkojnë pëlqim nga autori çdo herë kur dëshirojnë të bëjnë ndonjë kopje të veprës ose kur dëshirojnë ta shpërndajnë atë?
Pëlqimi i autorit që ta publikojë veprën sipas parimeve të qasjes së hapur tregohet duke e arkivuar atë vepër në kuadër të ndonjë depoje digjitale me qasje të hapur. Megjithatë, nëse hasni në ndonjë artikull me të drejta të ruajtura autoriale, ku nuk ekziston asnjë indikacion për qëllimet dhe dëshirat e autorit, do të duhet të kërkoni pëlqim prej tij për çdo lloj shumëzimi që do dilte jashtë suazave të përdorimit korrekt.
Si ta dij se punimet shkencore të cilat do t’i has janë të besueshme?
Pothuajse të gjitha depot digjitale me qasje të hapur kanë politikën e tyre për publikim e cila duhet të ndiqet detajisht para se të publikohet një artikull. Më shpesh, depotë kërkojnë që vepra shkencore të kalojë në revizion dhe të miratohet si i besueshëm nga ana e hulumtuesve të tjerë të pavarur, fusha e interesit të të cilëve përputhet me fushën e interesit në të cilën publikohet vepra shkencore.
Cili është dallimi ndërmjet literaturës me qasje të hapur dhe literaturës pa pagesë që është në dispozicion onlajn?
Qasja e hapur paraqet mundësi dhe vënie në dispozicion të pakufizuar dhe permanente për lexim, shkarkim, kopjim, distribuim, shtypje dhe çfarëdo lloj shumëzimi, duke mos bartur asnjë lloj përgjegjësie juridike ose harxhime financiare ndaj autorit të veprës ose institucionit që e publikon atë. Literatura pa pagesë që është në dispozicion onlajn nuk njeh pengesa çmimesh që janë të orientuara në drejtim të shfrytëzuesve, por megjithatë përfshin kufizime (për shembull, regjistrim për të pasur qasje, të drejta të ruajtura dhe licencim i kufizuar). Në qoftë se kërkohet të regjistroheni, ta futni adresën tuaj të IP-së ose të konfirmoni ndonjë licencë, atëherë materiali deri te i cili dëshironi të arrini nuk është me qasje të hapur.