RHA-të në mësidhënie në Maqedoni

 Përshtatshmëria e resurseve të hapur arsimore nuk përbëhet vetëm në shfrytëzimin e tyre si material i gatshëm arsimor. RHA-të mund të përdoren në mënyra të ndryshme që e përmirësojnë, zgjerojnë dhe e pasurojnë procesin mësimor dhe interaksionin me nxënësit.

Siç pamë në një artikull të mëhershëm, rrjetat sociale, për shembull, mund të përdoren në mënyra të ndryshme dhe kreative për lehtësimin dhe dinamizimin e procesit të mësimit.

Arsimtarët dhe profesorët nga Maqedonia gjithnjë e më shumë i ndjekin këto trende, por për fat të keq puna dhe idetë e tyre nuk janë promovuar dhe nuk janë çmuar siç meritojnë. Me qëllim të promovimit të punës së tyre të përkushtuar, ua prezantojmë njërin nga shembujt e shumtë të zbatimit të mediumeve të reja dhe të RHA-ve në Maqedoni.

Аida Petrovska, arsimtare e lëndës së fizikës në Sh.F. “Dimitar Milladinov”, në mësim e përdor blogun „Аida Fizika“ si mjet pune. Informata të reja, tema për diskutim, ilustrime, video dhe shumë mundësi të tjera, të cilat çdo shfrytëzues mund t’i përshtasë sipas nevojave dhe interesave të tij, janë vetëm disa nga përparësitë që i ofron blogu. Përveç informatave, ajo aty fut edhe përmbajtje të ndryshme të cilat, përveç mësimit, ndihmojnë që nxënësit të zhvillojnë lidhshmëri dhe dashuri ndaj natyrës, si dhe ta zhvillojnë ndjenjën për rëndësinë e mjedisit të shëndoshë.

Shërbimi për video “YouTube”, është edhe një vegël tjetër që e zbaton ajo. Promovimi i aktiviteteve, bartja e njohurive, por edhe nxitja e shoqërimit dhe e dashurisë së ndërsjellë janë vetëm disa nga përfitimet e shumta pozitive nga përdorimi i këtij shërbimi. Poashtu, nëpërmjet kanalit “SchoolTube”, që funksionon si medium në vete, nxënësit të cilët na përcjellin përmbajtje të ndryshme për aktivitetet e tyre dhe informata të dobishme nga lëmia e fizikës dhe e shkencave natyrore, kanë mundësi që t’i zhvillojnë edhe njohuritë e tyre mediale.

Këtë artikull do ta përfundojmë me një citim nga njëri prej blogeve bashkëpunuese, ku Aida është pjesë aktive, dhe që në mënyrë të shkëlqyeshme i përcjell idetë dhe përfitimet nga arsimi i hapur dhe RHA-të:

Nëse unë edhe ti kemi nga një mollë dhe i shkëmbejmë ato, atëherë edhe unë edhe ti do të kemi nga një mollë. Por, nëse unë dhe ti kemi nga një ide dhe i shkëmbejmë ato, atëherë edhe unë edhe ti do të kemi nga dy ide. – Xhorxh Bernard Sho