Pse arsimi onlajn fitoi një moment revolucionar

Hovi për të krijuar ligjerata të mëdha dhe pa pagesë krijoi shqetësim nëpër univeristetet e botës. Me financat e zvogëluara, si dhe me shkuarjen në drejtim të mësimit onlajn, universitetet janë të detyruar që me shpejtësi t’i ndryshojnë modelet arsimore. Sot, shprehjet historike, seizmike dhe revolucionare paraqiten në përshkrimin e sfidave me të cilat ballafaqohet arsimi i lartë në vitet e ardhshme.

Duke ndërtuar infrastrukturë dhe duke mbledhur ekspertizë nëpërmjet eksperimentimit dhe punësimeve të reja, si dhe me integrimin e mësimit onlajn në strategjitë afatgjate, shumë institucione me vite u përgatitën për këto ndryshime. Institucionet e tjera, veçanërisht universitetet tradicionale hulumtuese ishin të befasuara dhe të papërgatirura për transformimin e arsimit. Ky ndryshim dramatik dhe traumatik nuk erdhi pa paralajmërim.

Teknologjia e trason rrugën

Lidhjet e internetit, kompjuterët dhe teelefonat celularë u bënë më të lirë dhe më të shpejtë, duke mundësuar qasje më të lehtë deri te materialet onlajn dhe krijuan potencial për bisedë, punë dhe mësim, me pothuajse çdokë në botë. Informatat, diçka të cilat më parë duheshte të kërkohen, tani rrjedhin pa pushim në drejtim të njerëzve. Në sferën e arsimit, inçizimi i ligjeratave, si dhe organizimi i orëve, u bënë më të lirë dhe më të lehtë, ndërsa ruajtja dhe shkarkimi i tyre onlajn, poashtu u bë më i lirë dhe më i lehtë.

Veglat pa pagesë, si Moodle, Jing, YouTube dhe Twitter mundësuan mënyra të reja për shpërndarje të informatave dhe bashkëpunim. Telefonat e mençur (smartfonët) dhe iPad-i mundësuan mënyra të reja për qasje dhe për krijim të informatave, duke e bërë kështu mësimin më portativ se kurdoherë më parë. Në librin “Çlirimi i mësimit” (Liberating Learning), аutorët Terry Moe dhe John Chubb thonë se ky transformim teknologjik i “riformëson themelet e komunikimit, interaksionit, udhëheqjes së biznesit, si dhe jetën e përditshme të njerëzve nga çdo cep i botës”. Poashtu, ky transformim teknologjik e ndryshon edhe mënyrën se si ata mësojnë.

Shpenzimet e studimeve universitare u rritën në mënyrë marramendëse

Harxhimet e arsimit të lartë janë rritur mbi 550 përqind prej vitit 1985. Shumë studentë nuk mund t’ia lejojnë vetes një arsim të tillë, pa marrë parasysh se diploma universitare bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për ta arritur klasën e mesme të shoqërisë. Njëkohësisht, çmimet e teknologjisë çmimet e teknologjisë kanë rënë duke mundësuar qasje më të lehtë në internet për shumë njerëz, e me këtë edhe qasje më të lehtë deri te resurset arsimore. Kolexhet dhe universitetet vazhdimisht sulmohen për shkak të çmimeve gjithnjë e më të mëdha, përqindjes së ulët të atyre që i përfundojnë studimet, si dhe mungesës së vullnetit për ndryshime të modelit arsimor të vjetër me shekuj.

Në revistën arsimore “Ndryshimi” (Change), John Daniel, Asha Kanwar dhe Stamenka Uvaliç – Trumbiç, e kritikojnë atë që ato e quajnë “trekëndëshi i hekurt” i arsimit: “supozimi se kualiteti, ekskluziviteti dhe harxhimet medoemos shkojnë së bashku”. Kritikët, siç është Richard Arum dhe Josipa Roksa, autorë të “Akademikisht të paankoruar” (Academically Adrift), i përmendin dëshmitë se arsimi i lartë më tepër lidhet me socializimin se sa me mësimin. Ligjdhënësit shtetërorë poashtu kërkuan dëshmi se kolexhet dhe universitetet publike i harxhojnë paratë me mençuri, njëkohësisht duke e lidhur financimin plotësues me zhvillimin ekonomik.

Komoditeti dhe lehtësia i tërheq studentët onlajn

Studimi onlajn dhe ai hibrid studentëve u ofron liri për të punuar në material ku dhe kur të duan ata, si dhe sipas tempos që e pëlqejnë, në ç’mënyrë, në qoftë se ka nevojë, materiali përsërite, e njëkohësisht zvogëlohet edhe koha që ata do ta kalonin duke ndejtur në mënyrë pasive në ligjerata që zgjasin me orë. Në hulumtimin anketues të realizuar vitin e kaluar nga ana e Qendrës për hulumtime të zbatuara Educause (Educause Center for Applied Research), pothuajse 60 përqind e studentëve janë përgjigjur se kanë mësuar më shumë në ligjeratat që kanë pasur edhe përmbajtje onlajn, ndërsa 9 përqind janë përgjigjur se më mirë kanë mësuar kur ligjeratat kanë qenë tërësisht onlajn.

Mësuesit bëjnë inovacione për gjeneratën digjitale

Edukatorët eksperimentojnë me teknologjinë, duke përbashkuar ide dhe duke bashkëpunuar me qëllim që të gjejnë mënyra se si të arrijnë deri te gjenerata e nxënësve që janë rritur me kompjuterë, celularë, Xbox, Nintendo dhe pajisje të tjera elektronike. Çerdhet dhe shkollat fillore (K-12) kanë shfaqur interes të veçantë në përdorimin e lojërave, telefonave, i-Pad-eve dhe metodave të tjera jokonvencionale për përfshirjen e fëmijëve në mësim. Mediumet sociale e shpejtuan përbashkimin e ideve, e me këtë nxitën edhe më tepër inovacion. Arsimi onlajn dhe ai hibrid ofron mënyra të reja për përfshirjen e studentëve nëpërmjet ligjeratave, videove, animacioneve, lojërave interaktive si dhe forumeve për diskutim dhe çet-it. Këto teknologji janë të njohura mirë dhe praktike për gjeneratën e nxënësve që janë rritur me teknologjinë që është pranishme çdokund.

Në librin “Ta kuptosh gjeneratën digjitale” (Understanding the Digital Generation) Ian Jukes, Ted McCain dhe Lee Crockett, thekosjnë se pjesëtarët e kësaj gjenerate digjitale “mendojnë dhe komunikojnë në një mënyrë krejtësisht ndryshe se sa cilado gjeneratë tjetër e mëparshme”, edhe pse shumica e të rriturve akoma e shohin botën dhe klasën nën thjerrëzat e shekullit 20. Mësimi i ndihmuar nga teknologjia ndihmon në tejkalimin e këtyre pengesave dhe takohet me nxënësit në një territor të njohur. Kjo nuk paraqet një ilaç universal, për shkak se shumë nxënësve u mungojnë shkathtësitë për krijimin e materialeve në botën onlаjn, përveç shkathtësive për dërgimin e SMS-ve dhe përdorimin e Facebook-ut. Megjithatë, kjo mënyrë e të mësuarit takohet me nxënësit atje ku ata janë.

Arsimi digjital ofron përfshirje të gjerë

Arsimi onlajn u mundëson universiteteve të arrijnë deri te studentët që nuk munden ose nuk dëshirojnë të jetojnë në kampuset e tyre, duke i eliminuar me këtë rast kufinjtë fizikë për regjistrim në fakultet, ku pothuajse çdo njeri në botë paraqet student potencial. Mësimi në largësi nuk është diçka e re. Ai ekziston më shumë se një shekull në formë të kurseve me korrrespodencë të cilat ndiqen nëpërmjet postës. Radioja dhe televizioni mundësuan emitim të materialit arsimor, më shpesh ligjeratave, ndërsa programet arsimore, si për shembull “Rruga e Sezamit” (Sesame Street),  e kombinojnë arsimin dhe zbavitjen. CD-të dhe dhe CD-ROM-et mundësuan shpërndarje të lehtë të leksioneve multimediale, e me zhvillimin e internetit komercial gjatë viteve të 90-ta, shkollat filluan të eksperimentojnë me mënyra të reja për të arritur deri te studentët që gjenden në vende të largëta. Mënyra e këtillë e ligjerimit u përshpejtua me rënien e çmimeve të teknologjisë.

Studentët jokonvencionalë, ata që kanë familje dhe që janë të punësuar, si dhe ata që i kanë filluar studimet por që kurrrë nuk i kanë përfunduar ato, tani i rikthehen studimit onlajn. Shumë njerëz kërkojnë shkathtësi të reja që do t’u ndihmonin në këto kohë të vështira ekonomike, ndërsa disa të tjerë kërkojnë diploma të avancuara pasi janë pushuar nga puna, ose shpresojnë të gjejnë vende më të mira të punës. Ajo që është e përbashkët për të gjithë këta, është pamundësia për të qëndruar në kampuse gjatë gjithë kohës. Shtetet si Оregoni dhe Viskonsini hulumtojnë mënyra të reja për t’u ndihmuar studentëve për t’i përfunduar studimet e tyre, në disa raste duke u mundësuar shndërrimin e shkathtësive të tyre të punës në kredi të provimeve (t’i zbatojnë shkathtësitë e tyre në institucionin përderisa studiojnë pa pagesë ose me kontribut minimal), ose të mësojnë nga kurse e shumta onlajn pa pagesë, e pastaj të hyjnë në provim për t’i testuar njohuritë e tyre. E lidhur me këtë që u tha më lartë, është edhe fakti se standardi jetësor i miliona njerëzve në Kinë dhe në Indi është përmirësuar, që u mundëson të blejnë teknologji të reja dhe të arsimohen, me qëllim të përmirësimit të jetës së tyre.

Universitetet private luftojnë për studentë

Universiteti në Feniks, si dhe kolexhet e tjera private tërheqin miliona studentë, njëkohësisht edhe miliona dollarë nga participimet për kurset onlajn. Kjo e tërhoqi vëmendjen e kolexheve dhe universiteteve tradicionale, të cilët konsiderojnë se lëshojnë nga dora shumë studentë potencialë. Disa kritikë të arsimit konvencional theksuan se diploma nuk vlen sa shkathtësitë konkrete dhe propozuan përdorimin e çertifikatave, shenjave dhe mënyrave të tjera për verifikimin e shkathtësive të lartëpërmendura. Hulumtimet e kanë vënë në dyshim arsimin tradicional fakultativ. Në librin “Cila është dobia nga ligjeratat?“ (What’s the Use of Lectures?) për shembull Donald Bligh thotë se ligjerata “nuk mund vetëvetiu të përdoret në mënyrë efektive për avancimin e të menduarit ose për ndryshimin dhe zhvillimin e qëndrimeve.” Kurset hibride, në mënyrë të veçantë, japin premtimin se ofrojnë mësim të avancuar, edhe pse rezultatet kanë qenë të ndryshme.

Në një analizë të paradokohshme të realizuar nga organizata joprofitabile Ithaka S+R, William Bowen dhe kolegët e tij paralajmërojnë se pritjet e fryra nga kurset onlajn dhe ato hibride, duke thënë me këtë rast se “nuk ekzistojnë dëshmi të pakontestueshme se sistemet e sotme për arsim onlajn… se me të vërtetë mund të kontribuojnë për rezultate më të mira arsimore.” Megjithatë, autorët shohin potencial të madh në arsimin onlajn dhe atë hibrid dhe i ftojnë edukatorët që t’i shqyrtojnë këto mundësi në mënyrë të detajuar.

Kurset e mëdha onlajn bëhet famëkeqe

Organizatat e reja, siç është Coursera dhe edX arritën deri te titujt kryesorë duke tërhequr numër të madh studentësh, duke mbledhur kapital të madh nga investimet, si dhe përkushtime nga universitetet e famshme. Kjo e rriti gumëzhimin për arsimin onlajn dhe atë hibrid, veçanërisht pasi janë nënshkruar marrëveshje të reja dhe pasi janë bërë investime plotësuese në këto organizata. Suksesi i kurseve të mëdha onlajn, ose МООС (Мassive Оpen Оnline Courses – Kurse onlajn të hapur dhe masive), në tërheqjen e studentëve dhe të kapitalit, si dhe suksesi i kolexheve private i shqetësoi shumë kolexhe dhe universitete që të mos krijohet mendim i përgjithshëm për to se kanë mungesë të vizionit ose se nuk janë të aftë për ndryshime në këtë kohët të mësimit digjital. Asnjë universitet nuk dëshiron t’i ngjitet etiketa “me rëndësi është të marrësh pjesë, e jo edhe të fitosh.” Këto shqetësime hapën mundësi për kompanitë e jashtme që ofrojnë konsalting, teknologji, outsourcing, dhe shërbime të tjera për kurse onlajn. Këto kompani zakonisht investojnë kapital që më parë, me qëllim të zhvillimit të kurseve onlajn dhe të sistemeve për shërbime studentore, e pastaj përfitojnë një pjesë nga participimi (zakonisht rreth 50 përqind) i studentëve të ri onlajn.

Buxhetet e kolexheve janë gjithnjë e më të vogla

Administrata e sheh arsimin onlajn dhe teknologjinë në përgjithësi si mënyrë për kursimin e parave. Buxhetet janë zvogëluar, veçanërisht në institucionet publike, edhe pse participimet dhe harxhimet e parapara fikse mbeten të larta. Bowen dhe kolegët e tij në Ithaka S+R ofrojnë njërin nga argumentet më bindëse rreth kursimit të mundshëm nëpërmjet përdorimit më efikas të teknologjisë, personelit dhe kapaciteteve. Sipas tyre, harxhimet fillestare për zhvillimin e kurseve janë më të larta, por pasi të krijohet një kurs hibrid nga ndonjë anëtar i fakultetit, ai kurs mund të shtohet në disa seksione, duke i shfrytëzuar bashkëpunëtorët e jashtëm dhe asistentët që kushtojnë më pak.

Konstatimet e tyre janë mbështetur në mendimin se nevojitet më pak kohë për t’u dëgjuar kurset hibride se sa ato tradicionale (një orë, në vend të tre ose katër). Kursimi rritet me regjistrimin e studentëve të rinj, sepse i njëjti material përdoret nga më tepër studentë. Ata poashtu konsiderojnë se kursehet edhe në moskërkimin e hapësirave të mëdha për ligjerata, që institucioneve u mundëson ta rrisin numrin e studentëve pa mos ndërtuar klasa plotësuese. E njëjta mënyrë e të menduarit mund të përdoret edhe për kurset të cilat realizohen krejtësisht onlajn, që përsëri mundëson rritjen e popullatës studentore pa patur nevojë për ndërtimin e klasave të tjera.

Cili është qëllimi?

Zhvendosja drejt mësimit të ndihmuar nga teknologjia sa vjen e do të shtohet gjatë viteve të ardhshme. Shumë çerdhe dhe shkolla fillore (К-12) tashmë investojnë në tablete dhe në teknologji të tjera me shpresë se do t’i zvogëlojnë harxhimet për libra. Institucionet e tjera e kanë përqafuar modelin sille-pajisjen-tënde, i cili bazohet në faktin se shumë nxënës kanë celularë, laptopë dhe tablete personale. Shumë shkolla, poashtu investojnë në vegla për inçizimin e ligjeratave, në rrjete pa tel me bandë të gjerë, rrjetet sociale, si dhe në kombinimin e arsimit të ndihmuar nga teknologjia me punën në klasë.

Përkundër këtyre ndryshimeve, ka pak gjasa që në një të ardhme të afërt arsimi onlajn ta mënjanojë tërësisht studimin tradicional katërvjeçar. Përvoja e ashtuquajtur “përvojë e studimeve” u mundëson studentëve që të ndërtojnë lidhje me kolegët dhe kuadrin e fakultetit, të bashkëpunojnë për së afërmi me profesorët, ta përmirësojnë të menduarit kritik dhe ndoshta ajo që është më me rëndësi – të piqen pasi për herë të parë jetojnë vetë jashtë shtëpisë së tyre. Megjithatë, me ndryshimin e mënyrës në të cilën studentët mësojnë, që e imponon teknologjia, si dhe me mundësitë e ndryshme për mësim që dalin vazhdimisht, universitetet nuk kanë zgjidhje tjetër përveç se të përshtaten dhe t’ua sqarojnë studentëve ofertën e tyre në krahasim me alternativat e shumta onlajn.

Për autorin e tekstit origjinal: Doug Ward është profesor inordinar i gazetarisë si dhe profesor për shkrim kreativ në Universitetin e Kanzasit. Ai është autor i „Lloji i ri i biznesit: Charles Coolidge Parlin, Shtëpia botuese Curtis dhe Rrënjët e hulumtimit të tregut“ (A New Brand of Business: Charles Coolidge Parlin, Curtis Publishing Company, and the Origins of Market Research) si dhe redaktor i mëparshëm në The New York Times. Atë mund ta kontaktoni onlajn në  www.kuediting.com dhe www.journalismtech.com, si dhe ta pasoni në Twitter @kuediting.

Artikulli origjinal është botuar në: Media Shift