Udhëzime për zhvillimin e RHA-ve

Trendet botërore nga fusha e RHA-ve, kryesisht janë të orientuara nga pasurimi i arkivave onlajn, zhvillimi i mëtutjeshëm i softuerit të lirë për qëllime edukative, mjeteve të ndryshme, përmbajtjeve multimediale, fjalorëve, doracakëve e kështu me radhë.

Në Maqedoni, përveç intensifikimit të projekteve ekzistuese (libra mësimorë falas, përmbajtje në Wikipedia, materiale për prezantim dhe zhvillim të mësimit, etj.), nevojitet edhe pasurimi i të ashtuquajturave “arkiva arsimore digjitale” ose “arkiva arsimore-shkencore onlajn”, si dhe ueb-faqeve të ngjashme. Popullarizimi dhe përkrahja aktive për publikimin e përmbajtjeve me licenca “Creative Commons”, tani për tani, nuk është shfrytëzuar sa duhet.

Vëllimi i përmbajtjeve që janë në dispozicion për mësim dhe për hulumtim duhet të rritet, veçanërisht për nivelet më të larta të arsimit dhe të veprimtarisë shkencore. Aktivitetet duhet të fokusohen për akumulimin e përmbajtjeve, për distribuimin e të cilave nuk ka kufizime në aspekt të të drejtave autoriale, siç janë veprat me pronësi autoriale më të vjetër se 70 vjet, dokumentet me rëndësi të madhe kulturore dhe kombëtare etj.