Metoda, udhëzime dhe shembuj të RHA-ve në botë

Në suaza botërore, zbatimi i RHA-ve dhe lehtësimi i qasjes deri te materialet arsimore bëhet në mënyra të ndryshme, mirëpo si më efikase tregohen ato metoda të cilat i shfrytëzojnë në mënyrë të koordinuar përfitimet që i ofrojnë teknologjitë e reja dhe interneti, të kombinuara me lidhjen e individëve dhe grupeve të veçanta në rrjete onlajn. Kjo, gjithsesi e lehtëson bashkëpunimin dhe këmbimin e përvojave, materialeve dhe ideve. Njëra nga metodat aktuale më efektive është edhe zhvillimi i softuerit pa pagesë, i cili mundëson zbatim në mësim dhe në fusha të ndryshme shkencore.

Në vazhdim janë dhënë disa nga projektet më të suksesshme dhe më të rëndësishme që janë realizuar në kuadër të RHA-ve:

  • “Instituti për teknologji i Masaçusetsit” (MIT) nga SHBA-të e ka përgatitur “OpenCourseWare” (http://ocw.mit.edu), që paraqet një sistem të lidhur onlajn, nëpërmjet të të cilit, të gjitha materialet që janë të nevojshme për lëndët në këtë universitet janë vënë në dispozicion për shkarkim pa pagesë. Aty ka materiale, prezantime, leksione, shënime nga ligjeratat dhe një sërë materialesh të tjera që janë të nevojshme për zhvillimin e lëndëve dhe përgatitjen për dhënien e provimeve.

Kjo u mundëson studentëve që shumë më lehtë të arrijnë deri te materialet dhe ta shfrytëzojnë kohën dhe energjinë e tyre gjatë studimeve në mënyrë më efikase. Gjithashtu, kuadri arsimor e ka më lehtë që të komunikojë në mënyrë më dinamike dhe t’i përshtasë përmbajtjet, pa pasur problem që ato të arrijnë deri te studentët.

  • „Carnegie Mellon University’s Open Learning Initiative“ është një sistem onlajn ku janë vënë në dispozicion lëndë të ndryshme universitare me përmbajtje multimediale, gjegjësisht një bazë e pasur me të dhëna dhe përmbajtje të teksteve, materiale vizuale, video dhe audio përmbajtje që janë të lira për shfrytëzim dhe reprodukim, me qëllim të zhvillimit më të lehtë dhe më efikas të mësimit. Ato, jo vetëm që e lehtësojnë qasjen deri te materialet e nevojshme administrative, planet, lëndët, etj., por edhe e pasurojnë mësimin dhe edukimin. Për shembull, video përmbajtjen e cila shfrytëzohet në mësim, tani shfrytëzuesit mund ta shohin dhe ta analizojnë në çdo kohë kur të kenë nevojë për të. E njëjta vlen edhe për një sërë materialesh të tjera, që nuk janë të kufizuara për përdorim vetëm nëpër sallat e ligjeratave ose laboratoreve.
  • “Universiteti virtual afrikan” (www.avu.org) është një projekt i madh, që mundëson shkarkim të lirë të përmbajtjeve të shtypura dhe atyre digjitale, prej librave mësimorë, doracakëve, materialeve për prezantim e kështu me radhë, që u mundëson si mësimdhënësve, ashtu edhe studentëve, zhvillim më të lehtë të mësimit, por edhe kombinim kreativ dhe përmirësim të tyre.

  • Enciklopedia e hapur onlajn “Wikipedia” (www.wikipedia.org), poashtu është projekt që është pjesë e ideve dhe e koncepteve të RHA-së. Wikipedia është formuar në vitin 2001, dhe për 11 vjet, shfrytëzuesit dhe entuziastët në të kanë krijuar pothuajse 4 milionë artikuj të fushave të ndryshme, me një vëllim prej rreth 26 milionë faqesh.

  • Arkivi në internet për hulumtues, ku materialet janë të lira për shkarkim dhe shumëzim: http://www.archive.org/
  • Një numër i madh i materialeve, studimeve, prezantimeve dhe përmbajtjeve të tjera që kanë të bëjnë me RHA-të, janë në dispozicion publik në arkivin e RHA-ve, “OER Research” (www.oer.issuelab.org).
  • Shfrytëzimi i blogeve tregohet si vegël shumë e dobishme në procesin arsimor. Është shumë i madh numri i shembujve që e vërtetojnë dobinë e blogeve, jo vetëm për përbashkim të përmbajtjeve, por edhe për lidhje aktive dhe komunikim plotësisht të hapur të arsimtarëve dhe nxënësve.