Kodi i hapur, softueri i lirë dhe resurset e hapura arsimore

Softueri me kod të hapur (Open source software) nënkupton të qenit në dispozicion të kodit i cili është zhvilluar nga ana e programuesve, lirinë e përshtatjes dhe ndryshimit nga ana e programuesve të tjerë. Zhvilluesit e këtij lloji të softuerit besojnë se, duke u lejuar të gjithë atyre që dëshirojnë të bëjnë ndonjë ndryshim në kod, ua mundësojnë që, në afat më të gjatë kohor, aplikacioni të bëhet më i dobishëm dhe me shumë më pak gabime në punë.

Kodi burimor i hapur (Open source code) zakonisht paraqet përpjekje bashkëpunuese të programuesve ta përmirësojnë kodin dhe t’i përbashkojnë ndryshimet me komunitetin. Në fakt, Iniciativa për kod të hapur (Open Source Initiative) bazohet në idenë se kur programuesit mund ta lexojnë, rishpërndajnë dhe modifikojnë kodin burimor të një softueri, softueri evoluon. Softueri me kod të hapur në komunitetin me orientim teknik, u paraqit si reagim ndaj softuerit pronësor (komercial), të cilin e zhvillojnë kompanitë dhe i cili është i kontrolluar dhe në pronësi të tyre private.

Që një softuer të konsiderohet me kod të hapur duhet të plotësohen disa kritere:

  • Programi duhet të distribuohet pa pagesë, por mund të inkuadrohet si pjesë e ndonjë paketi së bashku me softuerin për të cilin duhet të paguhet një çmim i caktuar.
  • Kodi burimor duhet të vihet në dispozicion.
  • Çdokush mund ta ndryshojë kodin burimor.
  • Versionet e modifikuara mund të rishpërndahen.
  • Licenca e programit me kod të hapur nuk guxon të kërkojë përjashtim të ndonjë softueri tjetër ose pengim të punës së tij.
  • Licenca nuk guxon të jetë diskriminuese ndaj njerëzve të caktuar ose ndonjë grupi të caktuar njerëzish, e as ta kufizojë zbatimin e softuerit në fusha të caktuara (për shembull në sektorin e biznesit).

Softueri me kod të hapur nuk distribuohet sipas marrëveshjes së njëjtë për licencim. Disa shfrytëzojnë licenca të lira softuerike, të ashtuquajtura copyleft ose GPL-kompatibile. Inisiativa për kod të hapur momentalisht përkrah mbi 50 licenca.

Aplikacionet me kod të hapur i kanë edhe mungesat e tyre. Në fakt, për shkak se softueri i lirë e përkrah dhe e inkurajon modifikimin e kodit, për të nuk mund të jepet garancion dhe nuk mund të sigurohet përkrahje e sigurt teknike. Prandaj, disa kompani vendosin që produktet e tyre softuerike pa pagesë, t’i shesin në komplet me garancën dhe përkrahjen teknike. Për sektorin e biznesit kjo është shumë me rëndësi, për shkak se ofrimi i përkrahjes teknike është arsye që firmat të përcaktohen dhe të paguajnë për këtë lloj softueri, në vend që ta marrin nga interneti, pa harxhime plotësuese.