Historik i shkurtër i RHA-ve

Vetë koncepti i RHA-ve ndërlidhet me termin e Dejvid Uajlit (David Wiley) për “përmbajtje të hapur“ (аnglisht, open content), të promovuar në vitet e ‘80-ta dhe të ‘90-ta të shekullit XX. Kjo shprehje e re e zgjeron idenë e ekzistimit të lidhjes ndërmjet lëvizjes për softuerë të lirë dhe lëvizjes që angazhohet për përmbajtjet e hapura dhe shfrytëzimin e tyre, veçanërisht në arsim. Uajli ka marë pjesë në mënyrë aktive në krijimin e licencës së hapur për përmbajtje (që e lehtëson qasjen tek materialet dhe përmbajtjet), të pranuar në shkallë të gjerë dhe të njohur si “Open Publication Licence”.

Themelimi i “Creative Commons” në vitin 2001, si mënyrë për përkufizimin e një platforme të tërë të drejtash autoriale, të cilat e mundësojnë dhe lehtësojnë përbashkimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve, si dhe inisiativa për “OpenCourseWare” (OCW) e Universitetit MIT nga SHBA, gjegjësisht qasja e lirë në internet deri tek materialet mësimore të fakultetit, e kanë orientuar dhe përforcuar lëvizjen për RHA. Në vitin 2005, modelin “OCW” e miratuan një numër i madh institucionesh, kurse, gjatë vitit 2008, u evidentuan mbi 180 anëtarë anembanë botës të përkushtuar ndaj RHA-ve, që deri atëherë numëronte mbi 4000 doracakë dhe kurse. Njëri nga projektet më të zhvilluara është “The Connexions” i Universitetit të Teksasit, i cili paraqet një “bibliotekë onlajn” me një numër të madh materialesh arsimore.

Vetë termi RHA, për herë të parë ka hyrë në përdorim në vitin 2002, në konferencën e UNESCO-s, ku RHA-të janë konceptuar si “qasje të hapura deri tek resurset arsimore, të mundësuara nga teknologjitë e informatikës dhe të komunikimit, për konsultim, përdorim dhe adaptim nga një komunitet i shfrytëzuesve, për qëllime jokomerciale. Parë nga këndi praktik, sot RHA-të nënkuptojnë “materiale të digjitalizuara të cilat ofrohen për t’u përdorur në mënyrë të lirë nga ana e kuadrit arsimor, studentëve dhe individëve apo grupeve autodidakte, për mësimdhënie, mësim dhe hulumtim”. Me ndihmën e rrjetit të saj të përhapur, të zyrave dhe të projekteve, UNESCO-ja i është përkushtuar zhvillimit të mëtutjeshëm të të ashtuquajturit komunitet i RHA-ve.