Cili është qëllimi i resurseve të hapura arsimore?

Zhvillimi i shoqërisë dhe teknologjisë informatike kontribuoi në ndryshimin e mënyrës në të cilën zhvillohet procesi arsimor dhe hapi mundësi të reja për edukim. Njëkohësisht, mundësitë e reja paraqesin sfidë për mënyrat e përdorura deri më tani në zhvillimin e procesit arsimor, të cilat shndërrohen në një lloj pengese për ndryshime më të shpejta. RHA-të përpiqen t’i tejkalojnë këto pengesa që paraqiten në formë të të drejtave autoriale, qasjeve selektive, rregullave të ndërlikuara, pengesave të shfrytëzuesve etj.

Qëllimi kryesor i RHA-ve është të përmirësohet qasja tek dija dhe mundësitë për mësim. Kjo arrihet më lehtë duke e përbashkuar dijen dhe mjetet që e ndihmojnë mësimin dhe hulumtimin. Me këtë qasje, jo vetëm që mësimi bëhet më i lehtë dhe më i lirë, por kursehet edhe koha, mjetet materiale dhe resurset njerëzore që nevojiten për arritjen e qëllimeve arsimore.

Të qenit të hapur dhe inkluziviteti, që janë shumë të rëndësishme për RHA-të, e nxisin kreativitetin. Komunitetet që formohen komunikojnë më lehtë, këmbejnë njohuri dhe informata, i kombinojnë më lehtë përvojat dhe vijnë deri tek zgjidhjet më të zbatueshme për mjediset përkatëse të cilave u dedikohen. Përveç promovimit të lirisë në arsim dhe në hulumtime, RHA-të kanë për qëllim të mundësojnë dhe zbatimin e të ashtuquajturit “arsim i hapur”, që nënkupton mundësimin e dijes për gjithë ata që kanë nevojë për të, përfshirë këtu dhe ata që hulumtojnë dhe kërkojnë dije.

Si ide, arsimi i hapur kërkon zhvillim gradual, që nënkupton disa nivele, në të cilat duhet të fokusohen shoqëritë:

  • përpilimin e teksteve mësimore dhe doracakëve të lirë për përdorim (që mund të shfrytëzohen pa pagesë),
  • organizimin dhe sistematizimin e mjeteve dhe materialeve arsimore që ato të mund të gjenden lehtë,
  • lehtësimin e parimeve për shumëzim të materialeve dhe rregullimin e të drejtave autoriale për këto përmbajtje.