Pyеtje të parashtruara shpesh për Resurset e hapura arsimore

Çka janë resurset e hapura arsimore?
Koncepti i Resurseve të hapura arsimore (RHA) i përfshin të gjitha resurset arsimore, duke i inkuadruar edhe programet mësimore, materialet e kurseve, videot onlajn, librat mësimorë, programet multimediale, podkastet, si dhe çdo lloj materiali tjetër që është i dizajnuar për përdorim në mësimdhënie dhe gjatë të mësuarit, të cilat janë në dispozicion pa pagesë për përdorim nga ana e arsimtarëve dhe nxënësve, pa pasur nevojë për të paguar ndonjë kompensim për të drejtat autoriale ose ndonjë taksë për licencë.

Cili është dallimi ndërmjet resursve të hapura arsimore dhe e-mësimit?
Resurset e hapura arsimore nuk paraqesin sinonim të mësimit onlajn, edhe pse ndonjëherë të dy terminet përdoren në mënyrë alternative. Përmbajtjet e publikuara me licencë të hapur mund të prodhohen në cilëndo qoftë formë: si tekst i shtypur, video, audio ose si multimedia. Edhe pse, shumë kurse onlajn shfrytëzojnë resurse të hapura arsimore, kjo nuk do të thotë se resurset e hapura arsimore në fakt janë e-mësim.

Cilat janë përfitimet nga përdorimi i resurseve të hapura arsimore?
RHA-të ofrojnë mundësi për zhvillim bashkëpunues të arsimit, ku edhe vetë nxënësit janë pjesëmarrës aktivë në krijimin dhe planifikimin e programit mësimor, së bashku me personat profesionalë që janë të angazhuar për këtë. Ato i zvogëlojnë harxhimet për arsim dhe dallimet ekonomike ndërmjet shtresave sociale në shoqëri, mundësojnë qasje deri te dija pa marrë parasysh pozitën gjeografike, e nxisin kreativitetin, e focrojnë kuadrin arsimor, nxisin zhvillim dhe zbatim efikas të softuerit të lirë në arsim, kontribuojnë në  pasurimin e thesarit botëror të njohurive të përbashkuara dhe e përmirësojnë kualitetin dhe efektivitetin e arsimit.

Cilat janë rreziqet nga plagjiatura?
Mundësitë për plagjiaturë pothuajse edhe nuk ekzistojnë, për shkak se resursi i shpërndarë është në dispozicion më të madh për kontrollim profesional, e cili njëkohësisht vlerëson se a bëhet fjalë për plagjiaturë apo jo.

A janë resurset e hapura arsimore pa pagesë?
Po. Përmbajtja me karakter të hapur mund të shpërndahet pa pagesë, duke mos kërkuar asnjë lloj leje për këtë. Përveç harxhimeve për internet dhe shkarkim, resurset e hapura arsimore janë plotësisht pa pagesë.

Kush garanton për kualitetin e resurseve të hapura arsimore?
Vetë publikuesit, institucionet, punëtorët e arsimit, shkencëtarët, etj., garantojnë për kualitetin e resurseve të hapura arsimore, për shkak se emri dhe renomeja e tyre qëndron pas materialit të përgatitur. Njëkohësisht, materiali është në dispozicion më të madh për kritikë profesionale nga ana e personave, fusha e veprimit të të cilëve përkon me fushën në të cilën publikohet resursi i hapur arsimor. Kështu, gjatë viteve të kaluara, resurse të hapura arsimore me kualitet të lartë u shpërndanë pa pagesë për përdorim të lirë nga shumë institucione të respektuara arsimore, si dhe nga qindra punëtorë shkencorë të njohur ndërkombëtarë.

A mund të përdoren resurset e hapura arsimore në mënyrë konvencionale, si libra mësimorë?
Resurset e hapura arsimore mund të shfletohen dhe të shtypen sikurse edhe librat mësimorë konvencionalë. Dallimi i vetëm është çmimi. Librat mësimorë komercialë jo rrallë kushtojnë edhe mijëra denarë, ndërsa librat mësimorë të bazuar në RHA do të kushtojnë vetëm aq sa kushton letra dhe ngjyra e harxhuar e shtypësit. Poashtu, zvogëlimi i harxhimeve për libra mësimorë duke përdorur resurse të hapura arsimore do të mundësonte shfrytëzim të këtyre mjeteve për qëllime të tjera, si dhe përmirësim të kapaciteteve arsimore dhe rroga më të larta për arsimtarët.