Si funksionon “Creative Commons”?

Në qoftë se jeni autor i ndonjë vepre dhe dëshironi ta publikoni atë nën licencën Creative Commons, duhet të shkoni në creativecommons.org/choosе dhe ta plotësoni pyetësorin e shkurtër, në bazë të të cilit do t’u gjenerohet një kod, të cilin pastaj duhet ta futni në ueb-faqen, prezantimin, dokumentin tuaj… E gjithë procedura kryhet në internet dhe zgjat vetëm disa minuta.

Licenca e fituar u përgjigjet kushteve të cilat i keni pranuar ose i keni refuzuar gjatë plotësimit të pyetësorit, por që ta kuptoni plotësisht se çka u lejoni dhe çka u ndaloni të tjerëve, është mirë t’i dalloni 6 llojet e ndryshme të licencave Creative commons:

  • Thekso burimin
  • Thekso burimin-Shpërndaj nën kushte të njëjta
  • Thekso burimin-Pa vepra të adaptuara
  • Thekso burimin-Jokomerciale
  • Thekso burimin-Jokomerciale- Shpërndaj nën kushte të njëjta
  • Thekso burimin-Jokomerciale-Pa vepra të adaptuara

Siç mund të shihet, kusht kryesor në çdo licencë është të theksohet burimi deri te vepra origjinale gjatë ripërdorimit të saj nga dikush tjetër. Me këtë shprehet mirënjohje gjatë shfrytëzimit të veprave dhe përhapet puna pas së cilës qëndrojnë autorët e veprave origjinale.

Gjatë përcaktimit të kushteve, autori mund të kërkojë shpërndarje të detyrueshme të veprave të ripërdorura, nën kushte të njëjta ose të ngjashme me ato të cilat i ka shënuar. Thënë thjesht: “nëse vepra ime është me licencë Creative commons, edhe ju do të duhet ta përdorni licencën e njëjtë kur do ta publikoni veprën tuaj që e keni nxjerrë nga vepra ime”.

Kushti i tretë kufizon që veprat të shfrytëzohen vetëm ashtu siç janë, gjegjësisht ndalon që të bëhen çfarëdo lloj ndryshimesh. Аutori mund ta ndalojë edhe përdorimin e veprave të tij për qëllime komerciale, e poashtu mund edhe t’i kombinojë të gjitha këto kushte që të vendosë nivel më të lartë të mbrojtjes.

Në të gjitha rastet, ata që do të hasin në ndonjë vepër të publikuar nën licencën Creative commons, kanë të drejtë ta kopjojnë atë, ta distribuojnë dhe ta tregojnë publikisht.

Licencat Creative commons janë dokumente juridike, të cilat i nënshtrohen ligjit për të drejtat autoriale. Nëse dikush i shkel rregullat e parapara në licencën e ndonjë autori, për të mund të zbatohen masat përkatëse, siç është paraparë me ligj.

Shembull për implementimin e një licence të këtij lloji mund të lexoni në ueb-faqen e-learning.mk, ndërsa në qoftë se dëshironi ta shpërndani ose ta gjeni ndonjë vepër, vizitoni cc.org.mk.

Në Maqedoni, është i lejuar me ligj vetëm shumëzimi i kufizuar i materialeve arsimore, ndërsa është i shpeshtë rasti kur materialet që janë financuar nga tatimet e qytetarëve, paguhen në mënyrë plotësuese nga shfrytëzuesit e fundit – nxënësit, studentët, hulumtuesit etj.:

Është i lejuar me ligj reprodukimi i librave mësimorë, i librave të leximit dhe i publikimeve të tjera të natyrës së ngjashme të veprave autoriale; reprodukimi i pjesërishëm ose i tërë i veprave të shkurtëra autoriale dhe veprave nga fusha e fotografisë, artit figurativ dhe artit të zbatuar, arkitekturës, dizajnit dhe kartografisë, ekskluzivisht vetëm për ilustrim në mësim dhe për qëllime jokomerciale”

                       Ligji për të drejtat autoriale dhe të drejtat e ngjashme, nënpjesa 1, neni 40.