Metoda, udhëzime dhe shembuj të RHA-ve në Maqedoni

Për Maqedoninë, RHA-të nuk janë diçka e huaj, ashtu si idetë për qasje të lirë (Open Access). Siç tregojnë analizat, shihet se ka nevojë për një koordinim më të mirë ndërmjet vetë aktiviteteve, intensifikim të disave prej tyre, si dhe përmirësim të disa fazave për zhvillim të RHA-ve që janë realizuar.

Nëpërmjet disa ilustrimeve mund të fitohet një pasqyrë më e qartë për praktikat e gjertanishme për RHA-të në Maqedoni:

  • Ministria për shoqëri informatike gjatë muajit prill të vitit 2010 e promovoi projektin për libra elektronikë pa pagesë dhe ueb-faqen “е-ucebnici.mk”. Aty janë publikuar 58 libra mësimorë në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke, të cilat mund të shihen lirisht, e poashtu mund të bëhet edhe kërkim nëpër përmbajtjet e tyre. Sa i përket këtij projekti, MASH-i deklaroi se: “Librat mësimorë elektronikë nuk do t’i zëvendësojnë librat në formë të shtypur. Qëllimi është që librat mësimorë të ofrohen në format elektronik, por rëndësia e librave mësimorë të shtypur është shumë e madhe… kjo është vetëm një mundësi më tepër për një mënyrë më kualitative të mësimit”. Librat mësimorë mund edhe të shkarkohen në formatin “PDF”. Sipas MSHIA-së, “ky shërbim është në zhvillim e sipër dhe në të ardhmen duhet të shndërrohet në resurs kryesor për qasje deri te një numër i madh i librave elektronikë prej një vendi qendror.”

  • Ueb-faqja “skool.mk” e përgatitur nga MSHIA-ja dhe nga “Byroja për reforma në arsim” (në vazhdim të tekstit BRA), është pjesë e rrjetit të “skool.com”. Ueb-faqja ofron vegla dhe përmbajtje nga sfera e matematikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë. Kjo faqe përmban materiale interaktive audio dhe video, që mund të zbatohen në mësim dhe të japin kontribut për afrim kreativ dhe përgjithësim të përmbajtjeve mësimore nga këto lëndë dhe lëmi. Përmbajtjet e ofruara i përfshijnë këto lëndë të arsimit fillor dhe atij të mesëm, në relacion përmbajtësor me programin mësimor në RM, sipas të cilit zhvillohet mësimi në këto lëndë. Në këtë faqe janë ofruar edhe shënime të qarta për shfrytëzuesit e lëmive të matematikës dhe të shkencave natyrore.
  • E-uciliste.com është një koleksion onlajn i kurseve arsimore nga disa lëmi: informatika, fizika, kimia, elektroteknika, sistemet digjitale, HTML, etj.
  • “Wikipedia” në gjuhën shqipe shënon rritje sa i përket numrit të artikujve dhe përmbajtjeve që janë në dispozicion të shfrytëzuesve.