Ndikimi i softuerit me kod të hapur mbi arsimin

Resurset e hapura arsimore kanë shumë aspekte të përbashkëta me softuerin e lirë me kod të hapur, ndërsa këto terme për herë të parë janë ndërlidhur në vitin 1998, nga ana e Dejvid Uajlit, i cili ka bërë analogji ndërmjet konceptit të përmbajtjes së hapur dhe konceptit të kodit të hapur.

Resurset e hapura arsimore e ndihmojnë zhvillimin e softuerit të ri dhe më të mirë me kod të hapur. Duke i vënë në dispozicion përmbajtjet për edukim nga lëmia e programimit, softuerit të lirë, ndërtimit të komunitetit dhe kulturës së përbashkimit me licenca të lira, RHA-të u ndihmojnë nxënësve, studentëve, zhvilluesve të softuerit dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të kyçen në procesin e zhvillimit, që duan të krijojnë zgjidhje të reja dhe më të mira softuerike, nga të cilët përfitojnë të gjithë shfrytëzuesit. Në këtë mënyrë, dija për softuer të lirë dhe të qenit e kësaj dije në dispozicion në formë të resurseve arsimore, e ndihmon zhvillimin dhe avansimin e këtij lloji të softuerit.

Nga ana tjetër, shumë shpesh mund të hasim në vegla dhe sisteme softuerike me kod të hapur, të cilat mundësojnë menaxhim të përmbajtjeve arsimore dhe mësim të gjërave të reja nga lëmi të ndryshme, nëpërmjet llojeve të ndryshme të resurseve arsimore dhe duke shfrytëzuar metodologji të ndryshme.

Njëri nga projektet e para dhe më të njohura për resurse të hapura arsimore është Curriki (http://www.curriki.org). Pas krijimit të këtij ueb-projekti qëndron organizata joprofitabile me po të njëjtin emër, e cila është përgjegjëse për krijimin e një komuniteti global me arsimtarë, nxënës dhe prindër që krijojnë, shpërndajnë dhe gjejnë resurse për mësim që e përmirëson efikasitetin e arsimtarëve dhe rezultatet e nxënësve. Curriki nxit bashkëpunimin e përvojave të ndryshme që i kanë njerëzit nga mbarë bota në procesin e zhvillimit të resurseve më të mira për mësim (të kontrolluara dhe të testuara në klasë) dhe krijimin e kulturës së përparimit të vazhdueshëm.

Ekzistojnë shumë projekte të hapura edukative që janë realizuar me sukses, disa që kontribuojnë për avansimin e arsimit formal, disa të tjerë për avancimin e arsimit joformal, disa në formë të resurseve për mësim, e disa në formë të veglave që e ndihmojnë procesin e mësimit në ndonjë mënyrë tjetër. Sido që të vështrohen RHA-të, të qenit e tyre në dispozicion dhe mundësia për avansim dhe përbashkim, gjithmonë janë të mundura nëpërmjet internetit, ashtu siç funksionon edhe softueri me kod të hapur dhe çdo filozofi tjetër në kuadër të lëvizjes së hapur. Në të ardhmen, këto dy koncepte duhet të bashkëpunojnë edhe më tepër dhe t’i avansojnë rezultatet në të dyja sferat, si rezultat i mbindërtimit të vazhdueshëm të njohurive dhe i përmirësimit të mundësive softuerike për zhvillim të njohurive edhe më të mira në të ardhmen.