Kush i promovon dhe i avancon RHA-të?

Edhe pse RHA-të kanë një histori akademike dhe hulumtuese, parimet e tyre më saktësisht janë përkufizuar nga OKB-ja dhe UNESKO-ja, të cilat kanë për qëllim t’i promovojnë gjerësisht vlerat dhe përfitimet që dalin prej tyre. Qëllimi është të lehtësohet qasja deri tek mjetet e edukimit, të tejkalohet dallimi ndërmjet vendeve të pasura e të varfëra dhe ndërmjet shtresave të ndryshme të atyre vendeve. E drejta për t’u arsimuar dhe për të pasur qasje tek mjetet për edukim është njëra nga të drejtat më të rëndësishme të njeriut, për të cilat duhet të kujdesen shoqëritë. Përveç Kombeve të Bashkuara dhe UNESKO-s, disa nga përkrahësit më të mëdhenj të aktiviteteve në favor të RHA-ve janë edhe “Organizata për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim” (OECD), një numër i madh i universiteteve prestigjioze, ku bën pjesë dhe “MIT”, që u përmend më lartë etj.

Disa nga përfitimet më të rëndësishme nga kjo qasje dhe nga puna që bazohet mbi parimet RHA-ve janë: encikplokedia e hapur “Wikipedia” (www.wikipedia.org), “Wikiedukatori” (http://wikieducator.org), “ОЕR Commons” (http://www.oercommons.org), konzorciumi OCW (http://ocwconsortium.org/) dhe një sërë projektesh të tjera që janë realizuar nëpër dhjetëra vende anembanë botës, të cilët arsimin e bëjnë më të hapur dhe më të qasshëm për të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë dhe t’i thellojnë njohuritë e tyre. Shikuar në përgjithësi, bëhet fjalë për një proces me metoda e mjete gjithnjë e më të shumta e me të reja, të cilat inkurajojnë dhe nxisin përbashkim dhe bashkëpunim në sferën e mësimit dhe të hulumtimit. Së këndejmi, pritet që lëvizja për RHA të zhvillohet intenzivisht dhe t’i realizojë gjithnjë e më shumë qëllimet  e saj për “arsim të hapur”.

Në Evropë, rolin kryesor në këtë proces e ka Bashkimi Evropian (BE-ja), nëpërmjet projektit të saj “OLCOS“ (Open eLearning Content Observatory Services), si pjesë e programit të BE-së për mësim elektronik (eLearning). Qëllimi i këtij projekti është të “formohet një qendër me informacione onlajn që do t’i promovojë konceptet e RHA-ve, krijimin dhe përdorimin e tyre, e veçanërisht të Përmbajtjeve të hapura arsimore digjitale “ (PHAD).

Në fund, vetë ideja e RHA-ve, varet më tepër nga vullneti dhe entuziazmi i vetë punëtorëve që janë të kyçur në procesin arsimor dhe atë shkencor. Energjia dhe vullneti i tyre për t’u lidhur, për ta lehtësuar fitimin e njohurive, për të gjetur mënyra se si t’i motivojnë dhe si t’i organizojnë ata që i edukojnë, për ta nxitur dëshirën për mësim dhe arsim tek të rinjtë, por edhe tek gjithë të tjerët që besojnë se mësimi është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës, janë faktorët më të rëndësishëm për RHA-të. RHA-të më tepër u takojnë vetë atyre që marrin pjesë në procesin  arsimor dhe përkushtimit të tyre për arsim të hapur.

Trego se çka mendon për këtë temë

*