Ku është kufiri ndërmjet informatave të lira dhe përmbajtjeve të mbrojtura autoriale?

Interneti është një thesar i madh me informata dhe përmbajtje të çdo lloji. Sado e lehtë të jetë qasja në këto informata, pjesën më të madhe të tyre nuk mund ta shfrytëzoni lirisht, e kjo të jetë legale ose pa kufizime të caktuara. Shkaqet për këtë janë të drejtat ekzistuese autoriale, të cilat përcaktojnë në mënyrë të saktë se si mund të shfrytëzohen përmbajtjet në internet dhe cilat përmbajtje nuk mund të shumëzohen dhe të distribuohen. Pjesa më e madhe e fotografive, video-materialeve, shënimeve-audio, e kështu me radhë, janë të mbrojtura me të drejta autoriale, të cilat ua pamundësojnë që t’i ndryshoni ose t’i përshtatni në mënyrë legale për nevojat tuaja, t’ua shpërndani nxënësve e të ngjashme. Për këto përmbajtje duhet të merret leje ose duhet të paguhet ndonjë kompensim i caktuar. Problemet dhe situatat janë të ngjashme edhe me materialet në formë të shtypur.

Problemet që paraqiten dhe ndikojnë keq në zhvillimin e arsimit dhe të vënit në dispozicion të materialeve arsimore në tërësi, janë të shumta, mirëpo ekspertët i dallojnë dy më të rëndësishme:

  • përzierjen e përmbajtjeve komerciale dhe atyre arsimore
  • caktimin e dyfishtë apo të shumëfishtë të tatimit

Rasti i parë ka të bëjë me atë kur, për shumicën e përmbajtjeve arsimore zbatohen, pa përshtatje dhe lehtësime për ata të cilëve u dedikohen këto materiale, praktika dhe procedura që zbatohen për përmbajtjet komerciale, që shërbejnë për ofrimin e shërbimeve të ndryshme ose të zbavitjes.

Në rastin e dytë, bëhet fjalë për praktikat dhe përvojat në të cilat shtetet, institucionet, organizatat dhe subjektet e tjera, prodhojnë përmbajtje edukative dhe shkencore nga tatimet e qytetarëve, e pastaj, po ato përmbajtje i plasojnë si prodhime të pastra komerciale, për të cilat, shfrytëzuesi i fundit duhet të paguajë përsëri.

RHA-të kanë për qëllim që të përcaktohen në mënyrë precize ato përmbajtje dhe materiale që janë me interes arsimor publik, të ndahen nga përmbajtjet pastër komerciale dhe të lehtësohet  qasja tek ato, duke u mbrojtur njëkohësisht dhe të drejtat e autorëve nga keqpërdorimet e ndryshme. Pastaj, përmbajtjet që janë vlerësuar se janë me interes publik për arsimin dhe që më parë janë tatimuar, duhet të bëhen plotësisht të lira për përdorim dhe distribuim të mëtutjeshëm.