Dallimi ndërmjet softuerit me kod të hapur dhe softuerit të lirë

Përkufizimet e këtyre dy termave janë shumë të ngjashme. Dallimi qëndron në theksimin e aspekteve të ndryshme. Përderisa në softuerin e lirë theksohet liria e cila u jepet shfrytëzuesve, termi kod i hapur shoqërohet me dukshmërinë e kodit burimor për të gjithë, duke e theksuar kualitetin e softuerit që është rezultat i modeleve zhvilluese që zbatohen në projektet për softuer të lirë me kod të hapur. Në disa raste, softueri i lirë nuk është krejtësisht me kod të hapur dhe e kundërta. Nga ana tjetër, softueri i lirë nuk është i njëjtë me softuerin pa pagesë (freeware).

Riçard Stallman, aktivisti për softuer të lirë, iniciatori i lëvizjes për softuer të lirë dhe krijuesi i projektit GNU, e sqaron dallimin ndërmjet qëllimeve të secilës lëvizje: “kodi i hapur është metodologji zhvilluese, ndërsa softueri i lirë është lëvizje shoqërore”. Sidoqoftë, të dy termet kanë të bëjnë me softuer që vjen me të drejta dhe liri të caktuara për shfrytëzuesit. Të dy termet kanë të bëjnë me softuer të liruar nga licencat restriktive dhe mund të shfrytëzohet, kopjohet, studiohet, midifikohet dhe rishpërndahet pa kufizime.

Përderisa termi, softuer me kod të hapur është paksa i dykuptimshëm, duke e përzier faktin e të qenit në dispozicion me lirinë për shfrytëzim, modifikim dhe rishpërndarje, zhvilluesit e softuerit pajtohen për përdorimin e termit alternativ – softuer i lirë me kod të hapur, që e nënkupton softuerin me kod të hapur, i cili poashtu është i lirë.