“Creative commons” dhe resurset e hapura arsimore

Përvojat botërore tregojnë se me përmirësime dhe përshtatje të vazhdueshme ligjore, mund të pajtohen dhe të koordinohen këto dy pole, që në shikim të parë duken si të papajtueshme, gjegjësisht distribuimi i lirë dhe mbrojtja e të drejtave autoriale. Si shembull për një nga formulat më të suksesshme është sistemi i licencave që është rregulluar nga ana e “Creative Commons” (www.creativecommons.org), i cili zbatohet edhe në Maqedoni (http://cc.org.mk/). “Creative Commons”, e nënkupton shfrytëzimin e lirë të të ashtuquajturave licenca “Creative Commons” nga ana e artistëve, autorëve dhe zhvilluesve, të cilët dëshirojnë që një pjesë të të drejtave autoriale t’i mbajnë për vete, ndërsa një pjesë t’ia lënë publikut, duke e stimuluar në këtë mënyrë promovimin dhe shfrytëzimin më të madh të veprave që janë të mbrojtura pjesërisht. Nga ky këndvështrim, është e qartë lidhshmëria ndërmjet filozofisë në të cilën bazohen RHA-të dhe Creative Commons. Ato, jo vetëm që janë të afërta në aspekt konceptual, por edhe bashkëpunojnë ndërmjet tyre.

Krijuesit e përmbajtjeve arsimore shfrytëzojnë shpesh licenca “Creative Commons” që t’i bëjnë ato të hapura për publikun. Mirëpo, Creative Commons është më tepër se kaq. Licencat që e karakterizojnë këtë brend janë të dedikuara për përbashkim të të gjitha llojeve të veprave kreative që mund të publikohen në internet, duke filluar nga proza, hulumtimet dhe muzika, e deri te bloge të tëra ose ueb-faqe që angazhohen për ripërdorim të lirë të të gjitha përmbajtjeve që janë publikuar në kuadër të tyre.