Bashkëpunimi ndërmjet resurseve të hapura arsimore dhe qasjes së hapur

Edhe resurset e hapura arsimore edhe qasja e hapur bazohen në parimin e të qenit të materialeve të hapura, gjegjësisht të qenit në dispozicion dhe përdorim të lirë të materialeve që janë të rëndësishme për veprimtarinë arsimore dhe atë hulumtuese. Më konkretisht, qasja e hapur angazhohet për prodhimin e materialeve hulumtuese me kualitet të lartë dhe shpërndarjen e tyre me qëllim të përparimit të veprimtarisë hulumtuese në tërësi.

Qasja e hapur del nga lidhja e traditës së vjetër me teknologjinë e re – internetin – dëshirës së shkencëtarëve që t’i publikojnë rezultatet e hulumtimeve të tyre në revistat shkencore, pa mos u paguar për këtë. Si rezultat i kësaj del një e mirë e përgjithshme, gjegjësisht distribuimi elektronik i revistave shkencore hulumtuese që është përhapur në tërë botën, si dhe qasja krejtësisht pa pagesë dhe e pakufizuar në to, nga ana e shkencëtarëve, studentëve, bursistëve, profesorëve dhe mendjeve të tjera kurioze.

Largimi i pengesave për t’iu qasur kësaj literature, ndikon në shpejtimin e procesit hulumtues, pasurimin e arsimit, shpërndarjen e asaj që është mësuar ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Literatura për hulumtim me qasje të hapur përbëhet nga kopje të lira onlajn, të artikujve të recenzuar, nga dokumentet e konferencave dhe nga raportet teknike, tezat dhe dokumentet punuese. Ato mund të shfrytëzohen lirshëm për hulumtime, ligjerata dhe nevoja të tjera.

Me qasje të hapur në literaturë nënkuptohet të qenit e saj në dispozicion të përhershëm, pa pagesë në internetin publik, me leje që shfrytëzuesit të lexojnë, të shkarkojnë, të kopjojnë, të distribuojnë, të shtypin, të kërkojnë ose të vendosin linke deri te tekstet e plota të këtyre artikujve, ato të mund indeksohen nga ana e kërkuesve në internet, të mund të shtohen si të dhëna në ndonjë softuer ose të përdoren për çfarëdo lloj qëllimi legal, pa pengesa financiare, ligjore ose teknike, përveç atyre që janë të lidhura me vetë qasjen në internet.

Fillimet e qasjes së hapur datojnë nga dhjetori i vitit 2011, me inisiativën për qasje të hapur të një grupi individësh, në kuadër të konferencës së Budapestit, të organizuar nga Instituti shoqëria e hapur.

Përmbajtjet me qasje të hapur ruhen në depo digjitale, të cilat paraqesin një lloj arkivi onlajn. Ato mundësojnë menaxhim, deponim dhe qasje në përmbajtjet digjitale. Depotë digjitale mund të kenë shumë forma, por më shpesh dallojmë dy lloje:

  • depo institucionale – të cilat paraqesin koleksione digjitale nga rezultatet e krijuara në kuadër të universiteteve ose institucioneve hulumtuese
  • depo të centralizuara – të cilat janë të bazuara në ndonjë fushë të caktuar

Edhe pse depotë mund të jenë të ndryshme, për shembull: disa universitete kanë resurse për mësim, gjegjësisht materiale arsimore, në të shumtën e rasteve ato janë të krijuara që të mundësojnë qasje të hapur deri te rezultatet e hulumtimeve në kuadër të institucionit.

Në qasjen e hapur dallojmë dy strategji, rrugën e artë dhe atë të gjelbër.

Rruga e artë ka të bëjë mе publikimin e artikujve shkencorë në revista me qasje të hapur, por përfshin edhe kontribute origjinale si monografi, libra kolektivë etj.

Rruga e gjelbër deri te qasja e hapur ka të bëjë me vetë-arkivimin e dokumenteve digjitale në serverë të hapur institucionalë ose në serverë të bazuar në tema të caktuara, edhe atë paralelisht, para ose pas publikimit në revista, të cilat kërkojnë pagesën e qasjes në to. Tekstet vetë-arkivuese më shpesh janë në version para ose pas shtypjes, mirëpo arkivat përbëhen edhe nga monografitë, raportet nga hulumtimet, materialet e konferencave etj.